Sipas Ligjit për zona të veçanta të mbrojtura, në tërë territorin e Kosovës, ekzistojnë 44 harta me këso zona speciale mbrojtëse , perimetri i së cilëve, varësisht nga karakteristika që ka, është e kufizuar më së paku në 50 deri më 100 metra.
Edhe pse, shumica prej nesh, i dhënë sot pas derteve dhe telasheve tjera të së përditshmes ekzistenciale, nuk besoj se nga kujtesa na është zbehur ai moment, kur para një viti, të entuziazmuar nga akti i shpalljes së pavarësisë, në Parlamentin e Kosovës, me një nguti të shpejtuar marramendëse procedurale, aprovoheshin disa ligje të cilët deputetët tanë as nuk i kishin parë me sy, e lere më të ishin njoftuar për detajet tjera të përmbajtjes së tyre. E, sa për pasojat e mundshme që do të paraqiten më vonë gjatë aplikimit të tyre në terren, sigurisht që atëbotë pak kujt seriozisht i ka shkuar mendja.(Kuptohet, gjithmonë lavdi përjashtimeve). Sepse, derisa ata në Parlament qorrazi ngrinin gishtet e tyre pro këtyre ligjeve, figurativisht, si pasojë e stërngopjes me pije dhe ushqim nëpër galla –ceremoni të shumta të organizuara për nderë të festimit të shpalljes së kësaj pavarësie, ende prej goje ju vinte erë uiski dhe mishi të pjekur qengji në hell. Bile - bile, për këtë lodhje të tepruar dhe angazhimit të tyre jashtë mase në këtë drejtim, u shpërblyen edhe me nga 500 euro shtesë.