SINDROMI LEMING” KOSOVAR

mini.jpgFilozofi Antik Grek Sokrati, dikur i ka mësuar nxënësit e vetë se rruga e vetme përmes së cilës duhet të shkohet gjatë kërkimit të së vërtetës, është, kurë, së pari, të analizohet dhe vihet në pyetje çdo bindje që e kemi mbështetur fortë gjer në atë moment. Nëse një besim konkret i kalon të gjitha testet e evidencës, deduksionit dhe logjikës, atëherë, ajo ide mund të përqafohet si e vërtetë. Në të kundërtën, e njëjta duhet mohuar, ndërsa, më pas, bartësi i saj duhet ta pyes veten se çka e ka nxitur atë që gjer në atë moment të mendoj ashtu.
Për shkak të predikimeve dhe përhapjes së këtyre mësimeve që nuk ju kanë konvenuar atyre që janë në pushtet, dihet mirë si ka përfunduar Sokrati. Nga elita sunduese e asaj kohe, ai është akuzuar për subversion, korrupsion dhe indoktrinim të rinisë. Dënohet me vdekje me detyrim që ta pijë kupën me helm.
Duke mos pranuar një të vërtete të imponuar si dhe duke tentuar të mendojnë me kokën dhe arsyen e vet të shëndosh, që nga ajo kohë, e gjer më sot, shumë intelektual dhe personalitete të shquara kanë qenë viktima të pafajshme të abuzimeve nga më të ndryshme.
Analogji të veprimit si me Sokratin dhe të tjerë, kemi edhe në shoqërinë tonë të sotme kosovare, në të cilën, është i instaluar një regjim ndërkombëtar i sundimit me emrin UNMIK. Rasti më eklatant “sokratian” është ai i përndjekjes dhe gjykimit të liderit të lëvizjes “Vetëvendosje” Albin Kurti, i cili, sigurisht se nuk do të dënohet me vdekje si Sokrati duke e pirë kupën me helm, por, në fakt, përmes aplikimit të metodave të fuqishme të propagandës etiketuese dhe komprometuese, ai po ballafaqohet me forma më perfide të nënçmimit dhe poshtërimit.
Kjo mënyrë e përndjekjes nga ana e këtij regjimi ndërkombëtar dhe kinsedemokratik, në shënjestrën e vetë të atakut dhe diskreditimit, nuk i ka vënë vetëm anëtarët e lëvizjes “Vetëvendosje” dhe liderin e tyre Albin Kurtin, por të gjithë ata individ, publicist, intelektual dhe politikan tjerë, të cilët, nuk pranojnë të bëhen pjesë e gënjeshtrave të tyre me prapavijë tërësisht kolonizuese dhe antishqiptare. Edhe përpos faktit se numri i atyre intelektualëve dhe individëve “ të rebeluar” është gjithnjë e në rritje, kjo elitë sunduese, kurrë nuk është ndjerë e rrezikuar. Ajo, përveç se është e bindur që pas veti ka një ushtrie të madhe servile dhe karrieriste të kolaboracionistëve të avancuar në politikën vendore, në shuarjen e këtyre zërave të mendjeve të arsyeshme, paralelisht përdorte edhe metodat e dëshmuara psiko-sociale të ndikimit masiv në popull.
Ja një shembull praktik! Jemi në prag të përfundimit të vitit 2007, dhe fillimit të vitit të ri. Nëse i bëjmë një vështrim të përciptë vitit që po e lëmë pas, ajo për ne kosovarët nuk karakterizohet me asgjë të re dhe të veçantë, përveçse edhe më tepër e ka thelluar gjendjen tonë edhe ashtu të vështirë ekonomike-politike dhe morale në përgjithësi. Nëse i anashkalojmë rezultatet e publikuara testuese për Kosovën si një regjion më të korruptuar në botë, i vetmi tregues statistikor relaksues do të ishte vendi i dytë për këtë vit si popull më optimistët në botë. Edhe përpos asaj çfarë përjetuam gjatë këtyre shatë viteve, ne ende tregohemi optimist. Ne ende i besoj premtimeve sa e sa herë gënjeshtare, që na bëjnë këta ekperimentatorë ndërkombëtar të mbështetur nga disa politikanët tanë servil.
Nuk ka dyshim! Në këto kohëra, optimizmi i ynë është gjë tejet pozitive dhe ai na jep përherë kuraje në rrugën tonë kaherë të nisur drejt cakut historik të zgjidhjes së statusit përfundimtar që po e presim. Por, nga ana tjetër, ky optimizëm i tepruar, për ata që na monitorojnë nën hije, është një tregues tejet strategjikë dhe këso rezultate të favorshme, atyre ju shërbejnë për qëllime edhe më të larta, të cilat ne si popull assesi nuk duhet t’i dimë.
Ata ekspertë, që e njohin psikologjinë e sjelljes sociale, e dinë mirë se në terminologjinë profesionale, besimi i tepruar dhe jo kritik i masës së gjerë ndaj informatave të prezantuara autoritare publike, si fenomen shoqëror, quhet “sindromi leming”.
Çka nënkupton në realitet ky sindrom psiko-social i sjelljesh tonë shoqërore?
Lemingët janë një lloj i minjve të vegjël, të cilët, fare pa angazhuar instinktin e vlerësimit vetjak për rrezik, verbërisht i përcjellin sjelljet dhe veprimet e minjve tjerë. Kështu, kur njëra prej tyre hidhet nga lartësia në greminën e pashpëtimtë vdekjeprurës, ashtu në varg veprojnë të gjithë anëtarët tjerë të grupit. Ky fenomen krahasues, gjatë analizën së gjendjeve psiko-sociale të sjelljes së njerëzve në shoqëri, në psikologji njihet si “sindromi leming”.
Për njeriun LEMING, në krahasim me popullaritetin e personalitetit qe e thotë një ide, logjika e shëndosh e cila duhej të qëndron prapa atij besimi, fare nuk ka rëndësi dhe nuk është në veprim. Lemingu, që të besoj fuqishëm në diçka, mjafton që predikuesi i saj të ketë autoritet, edhe pse, në të kundërtën, ky autoritet mund të jetë i dyshimtë.
Mekanizmi më i përshtatshëm i manipulimit të elitës sunduese me masat e gjëra popullore, që kanë prirje të shprehur kolektive të “sindromit leming”, janë mediat.
Shpeshherë, edhe mua si autor i këtij artikulli, më ka ndodhur që, para se t’i publikoj në gazetë disa analiza të mia nga aktualiteti politik ditor, më parë t’i kem komentuar ato në shoqëri. Por, në atë moment, askush nuk i ka marrë këto si relevante. Kur, po ajo temë e vlerësimit tim parimor, të nesërmen është botuar në gazetë, të njëjtit shokë, tani e kanë përqafuar në tërësi këtë ide, duke e vlerësuar si tejet të qëlluar.
E shikoni? Një gjë e thënë verbalist në shoqëri, dhe e njëjta e botuar në gazetë apo ndonjë medie tjetër, e ka fuqinë e besimit më të madh në masë.
Në vazhdim, do t’ua prezantoj një shembull tjetër, që më bindshëm do t’ju vërtetojë këtë konstatim:
Edvard Bernays, magnat dhe udhëheqës i rrjetit më të fuqishëm global informativ “CBS” në SHBA, përndryshe, nipi i themeluesit të famshëm botëror të psikanalizës Sigmund Frojd, në një fragment të veprës së vetë të titulluar “PROPAGANDA”, kishte shkruar:
“Kur të arrijmë ta kuptojmë mekanizmin dhe motivet e vetëdijes grupore, tek atëherë është e mundur të kontrollojmë dhe të udhëheqim me masat ashtu sikur na konvenon neve, e, që, për këtë, ata fare të mos jenë në dijeni… Një manipulim i vetëdijshëm dhe inteligjent me shprehitë e organizuara dhe opinionin publik të masave, është element tejet i rëndësishëm në një shoqëri demokratike. Ata që manipulojnë me këtë element të padukshëm të shoqërisë, formojnë një qeveri të fshehtë e cila është fuqia që realisht sundon në pushtetin tonë… gati në të gjitha aspektet të jetës sonë të përditshme, pa marrë parasysh se a ka të bëj me sferat e politikës apo biznesit, me sjelljen tone sociale apo të të menduarit etnik, ne dominohemi nga një numër relativisht të vogël njerëzish…të cilët i kuptojnë proceset mentale dhe sjelljet sociale të masave. Mu këta janë ata që tërheqin litarët e çdo gjëje që e kontrollon vetëdijen e opinionit”
Besoj se pas këtij citimi nuk ka nevojë për ndonjë koment shtesë?
Në vazhdim, bëjeni një provë me veten! Jeni apo s’jeni LEMING? Përgjigjet e juaja në pyetjet që pasojnë, arsyetoni me bindje të kundërt nga ato që ju janë të servuara si zyrtare në opinion.
- Cilat janë ato shtete që e përbëjnë UNMIK-un? Sa prej tyre janë vërtet miqësor dhe dashamirëse të shqiptarëve?
- Kur të gjithë autoritetet vendore dhe ndërkombëtare përkrahin Pakon e Ahtisarit, si është e mundur që vetëm disa të mendojnë të kundërtën?
- Çfarë njerëz janë, këta bartësit e pushtetit të sotëm në Kosovë?
- Pse patjetër kanë drejtë këta në pushtet e jo ata “individ të papërgjegjshëm që prishin rendin dhe qetësinë publike dhe tentojnë t’i rrënojnë institucionet tona të fituara me gjak”?
- Pse nuk na lejohet referendumi gjithëpopullor për ne kosovarët?
- Pse burgosen dhe dënohem komandantët tanë legjendar të UÇK-së?
- Jemi dy milion, sa një lagje e New York-ut, Istambullit, Romës, Parisit… Ata të gjithë janë këtu si UNMIK, e ne 7 vite nuk kemi rrymë?
- Pse jemi vend i varfër kur jetojmë në Evropën e pasur? Pse nuk kemi industri, dhe ajo e paktë ekzistuese shkatërrohet? Ku janë paratë që AKM-ja i shiti pronat e djersës së baballarëve tanë? Pse nuk aktivizohet “TREPÇA” dhe pse tentohet të privatizohet ajo?
- A kishim të drejtë ne, kur thoshim se këto zgjedhje të 17 nëntorit janë të montuara dhe manipuluese?
- Pse u realizua profecia, të cilën po ne, si individ “rebel” e kemi parashikuar para shumë kohëve: koalicioni joparimor PDK-LDK ?… e shumë e shumë “pse” të tjera.
Leming efekti, në një shtet të drejtë dhe vërtet demokratik, mund të ndikojë pozitivisht në përparimin dhe zhvillimin e mirëfilltë të asaj shoqërie. Andaj, shikuar më thellësisht dhe anën tjetër të medaljes, lemingiteti si fenomen shoqëror, gjatë procesit të ruajtjes dhe zhvillimit të një bashkësie njerëzore, është një virtyt i vlefshëm dhe i nevojshëm i sjelljes sociale, por, sikurse çdo fenomen tjetër natyror, edhe ky mund të keqpërdoret. Ky keqpërdorim është i shprehur, posaçërisht: nëse shteti si aparat i fuqishëm i sundimit me masa, gjendet në duart e njerëzve të gabueshëm dhe amoral, nëse në atë shoqëri mungon liria e vërtetë e mendimit dhe e shprehjes, nëse vepron roli dominues i mediave servile të cilat vetëm për pak para të mbijetesës, i shërbejnë me devotshmëri asaj ane të gabuar që është në pushtet, etj.
Në bashkësitë e organizuara shoqërore që njihen vërtetë si shtete demokratike, përmes mënyrave të ndryshme manipuluese, mund të vijnë në pushtet edhe grupe apo individ të gabuar, të cilët, përmes po këtij leming efekti të natyrshëm, do të tentojnë të instalojnë ndonjë formë antidemokratike të qeverisjes. Por, në ato shtete, një sistem mandatar i ligjshëm zgjedhor, i jep mundësi popullit të vetë, që, posa ta nuhasin këtë manipulim, të reagojnë përmes mosdhënies së besimit atyre në zgjedhjet e ardhshme. Bile-bile, nën mundësinë e mbajtjes së tyre të parakohshme.
Këtu në Kosovë, është diçka tjetër, sepse ne nuk kemi shtet. Sepse ne nuk kemi liri as demokraci të vërtetë, prandaj, ky sindrom i natyrshëm psikologjik i masave, nga tutorët tanë, gjithnjë keqpërdorohet krejtësisht për qëllime të tjera.
Dhe për fund si porosi: A L A R M! Më në fund është koha të fillojmë të mendojmë me kokën dhe arsyen tonë të shëndosh. E, nëse veç duhet t’i besojmë dikujt, atëherë le të jetë ky besim i orientuar kah mësimet e personaliteteve tona intelektuale dhe kombëtare, të cilët, janë dëshmuar shumë herë para nesh me vlerat e tyre që kanë. .

  Adnan Abrashi-NANDA

0 Komente

Shkruaj një koment