FRIKA NGA NJË PROFECI E BACIT ADEM?!

 “Bazuar në disa veprime politike dhe gabimet të njëpasnjëshme që po baca-adem.jpgi përsërit lidershipi aktual kosovar, nuk është çudi se në vitin 2008, ne si shqiptar, as që do të guxojmë ta kremtojmë këtë festë tonë të madhe dhe tradicionale kombëtare të 28 Nëntorit…!?” 

Në një televizion lokale të Prizrenit, si producent i tij, për nder të festës tonë të madhe  kombëtare 28 Nëntorit, morra përsipër që të organizoj një program tërë ditorë kulturo-zbavitës - LIVE. Ishte një përgjegjësi e madhe, por, meqë kaherë kisha filluar t’i bëja përgatitjet për këtë spektakël televiziv, para veti kisha në dispozicion shumë materiale interesante, si nga muzika me përmbajtje patriotike, e deri tek dokumentarë tematik. Edhe përpos materialit të bollshëm, ndjeja si nevojë që mozaikun e këtij skenari festiv ta pasuroja edhe me një mysafir adekuat, i cili, në këtë ditë të madhe historike për shqiptarët, si një analist i mirëfilltë, me analizën e tij retrospektive, do ta pasqyronte më së miri aktualitetin politik në Kosovë.  Isha në dilemë të madhe se kush mund të jetë ky personalitet aq meritor, që do të jetë njëkohësisht shumë i mirëpritur edhe nga shikuesit tanë, që këtë ditë festive, me shumicë do të qëndrojnë pranë ekraneve të tyre televizioneve. “Adem Demaçi”- brohorita në vete. S’ka tjetër kush më të përshtatshëm dhe më meritor për mysafir të nderit në festën e ditës së flamurit. Meqë isha informuar se Baci, këto ditë, sigurish qëndronte në Prishtinë, e ftova, dhe ai me kënaqësi të madhe e pranoi ftesën time. Nuk ka dyshim! Gjatë vijimit të gjithë emisionit të drejtpërdrejtë, biseda me Adem Demaçin ishte më tepër se e këndshme, bindëse, atraktive dhe me një nivel të lartë logjik dhe profesional të vlerësimit të ngjarjeve aktuale që e karakterizonin arena e brishtë shoqërore-politike kosovare dhe gjithëshqiptare. Ndoshta e zgjata pak me këtë si hyrje, por, tani dua të dal aty ku edhe e kam qëllimin. Kur në mesin e shumë temave interesante, kah fundi, moderatori ynë e pyeti se si ai e sheh Kosovën në 28 Nëntorin e vitit 2008, pasoji një përgjigje e prerë e tij: “Bazuar në disa veprime politike dhe gabimet të njëpasnjëshme që po i përsërit lidershipi aktual kosovar, nuk është çudi se në vitin 2008, ne si shqiptar, as që do të guxojmë ta kremtojmë këtë festë tonë të madhe dhe tradicionale kombëtare të 28 Nëntorit…!?” Meqë, nga njëra anë, unë përherë i besoj vlerësimeve të Bacit Adem, sepse ato gjithnjë më janë treguar si të sakta, dhe nga ana tjetër, pranoj se nuk më konvenoi edhe aq ky parashikim i tij i befasishëm. I nxitur nga kjo përgjigje e papritur dhe të befasishme, me shumë hamendje në vete, fillova të analizoj me përsiatje një mundësi të tillë.  Në mendje, bëra një retrospektivë të ngjarjeve politike të pasluftës kosovare.  Menjëherë pas bombardimeve dhe hyrjes së trupave aleate të NATO-s në Kosovë, ndërmarrja e parë e miqve tanë ishte ajo që pak kush e parashikonte: çarmatosja e UÇK-së, dhe në vend të saj, krijimin e një force civile që ka karakter të zjarrfikësve dhe të ekipeve për dhënien e ndihmës së parë popullatës në raste emergjente. E quajtën si TMK-ja. Kjo strukturë as civili dhe as  ushtarake, e izoluar dhe e mbikëqyrur rreptësishtë nga ndërkombëtarët, gradualisht filloi t’i nënshtrohet filtrimit dhe spastrimin nga elementet më atdhetare dhe më meritore të nismës çlirimtare kundër okupatorit tonë shekullor. Fillimisht, ja nisën me disa dosje dhe afera të montuara të papërshtatshmërisë, ku mjaft emra të njohur patriotësh që kishin dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm si pjesëtar dhe komandant të UÇK-së, u dëbuan nga radhët e saj, duke u bërë më vonë edhe viktima të shumë burgosjeve dhe proceseve të montuara gjyqësore kundër tyre. Këso “gjueti shtrigash” ndaj komandantëve tanë më të lavdishëm të luftës së UÇK-së, nuk përfunduan vetëm me procese gjyqësore të nivelit kombëtare, por, miqtë tanë të rezolutës 1244, u përkujdesën që, me disa prej tyre, të merret edhe Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për Krime Lufte. Nga ky presion i paparë kadrovik që i bëhej TMK-së, sikur edhe u pa më vonë, më besnikët dhe më atdhetarët “e hangarën pasulin”, kurse, të tjerët më labil, apo thuaja më të “mençur”, heshtën dhe u bënë pjesë statike e këtij dinamizmi antikombëtar, i cili, kulmin e transformimit të vetë (lexo:spastrimit) përfundimisht do ta arrij me fillimin e zbatimit të Pakos së Ahtisarit, me të cilën parashihet shndërrimi i saj në njëfarë force mbrojtëse të Kosovës. Më tej si vazhdimësi, e kemi Kornizën Kushtetuese. Një kinse kushtetutë që edhe formalisht na garantonte prezencën e pakusht ligjore të parimeve të nënshkruara në Rambuje si dhe atyre nga  rezoluta 1244 e OKB-së. Sikur e dimë, ky akt juridik, u pranua dhe u nënshkrua nga të gjithë liderët tanë politik. Vetëm një prej tyre atëbotë e kundërshtoi vendosmërisht këtë atë. Ishte ky Hashim Thasçi, lideri i PDK-së. Mu ai, të cilit ende i frëngëllonte në vesh betimi i UÇK-së, dhe, mu ai, të cilin ndoshta tanimë e ngacmonte edhe ndërgjegjja për nënshkrimin në Rambuje dhe pranimin e çarmatosjes së UÇK-së. Sido që të jetë, ja bëri si burrat, por, sikur do ta shohim më vonë, kjo do t’i kushtoj shumë shtrenjtë në karrierën e tij të mëvonshme politike dhe të PDK-së si parti  në përgjithësi.   Pasi, mu ky Hashim Thaçi, me kohë mësoi nga pësimet e mëparshme, tashmë, ai, asnjë deklaratë të veten publike nuk e përmbaron pa pasur të instaluar refrenin e obligueshëm “magjik”: “çdo gjë që do të ndërmarrim në të ardhmen, do ta bëjmë në bashkërenditje me miqtë tanë: Bashkimin Evropian dhe SHBA-të”. Dhe kështu, dikur Hashimi dhe PDK-ja të “anatemuar”, tani, para tutorëve ndërkombëtar, e kaluan me sukses sprovën e dëgjueshmërisë. Kjo, si duket, atyre iu shpërblye edhe në zgjedhjet e 17 Nëntorit.  Nga ana tjetër, sovranët të pacenueshëm që emëroheshin nga Nju Jorku, e që vinin dhe shkonin në cilësinë e administratoëve të OKB-së në Kosovë, nuk e braktisnin mandatin e tyre pa bërë ndonjë vepër të famshme antishqiptare dhe pro “multietnicitetit” që po ndërtohej si program afatgjatë politik. Ata, në emër të modernizmit dhe evropianizimit të arenës politike kosovare, në mënyrë më perfide, ngadalë por sigurt, margjinalizuan çdo forcë atdhetare shqiptare që synonte idenë e bashkimit kombëtar, duke favorizuar partitë e dëgjueshme. Për këto qëllime mirë të planifikuar, këtyre si logjistik, vetëm për disa para të vogla, ju bashkëngjiteshin dhjeta OJQ-të, që në mënyrë të devotshme punonin në bazë me popullin, duke propaganduar demokracinë, të drejta njerëzore, barazinë fetare, racore, gjinore…luftën kundër drogës dhe abuzimeve të ndryshme…etj., etj.. Gjatë këtyre viteve të pasluftës, në skenë dolën shumë OJQ-ja, por asnjëra e themeluar për ruajtjen e vlerave dhe trashëgimisë kombëtare shqiptare, bashkimit kulturor dhe etnik të hapësirës shqiptare të ndarë në shumë shtete…etj. Kuptohet, për këso OJQ-të, nga miqtë tanë ndërkombëtar  as që mund të priteshin donacione.   Më tej, si vazhdimësi e dekombëtarizimit dhe deatdhetarizmit  të vlerave tona si popull, pasuan etapat e famshme të standardeve para statusit. Edhe pse shqiptarët në të ishin popull shumicë, tanimë, në zhargonin politik, Kosova cilësohej si regjion multietnik. Pastaj, erdhi Grupi servil dhe i dëgjueshëm i Unitetit, i cili, gjatë bisedimeve me Serbinë, as “cik” nuk ua bënte kërkesave të ndërkombëtarëve, duke e shndërruar pamjen e hartës e “Kosovës multietnike”  si lëkurë leopardi,  me shumë komuna të reja nacionale serbe dhe zona speciale mbrojtëse rreth tempujve fetar të tyre.  Kur u pa se një pjesë e madhe e popullit nuk e kafshoi si duhet karremin dhe e kundërshtonte këtë formë të shtetësisë së varur që po na imponohej nga Pakoja e Ahtisarit, si lojë tjetër e manipulimit me ne, pasuan bisedimet 120 ditësh shtesë, si dhe mbajtja e zgjedhjeve të kurdisura të 17 Nëntorit. Edhe pse dihej se, bisedimet shtesë me Serbinë nuk do të kenë sukses, ato u mbajtën dhe kjo periodë e pakënaqësisë së popullit, u neutralizua me organizimin e zgjedhjeve të montuara, në mënyrë që tani, edhe ata që dyshonin dikur në Pakon e Ahtisarit, ta lakmonin atë si formë më të pranueshme.  Po na ndoll njëjtë, sikur dikur kur ishim nën sundimin serb, dhe, nga kjo gjendje e padurueshme thoshim: “le të na vjen edhe dreqi i zi, vetëm ta heqim qafe Serbinë”. Tani, nën këtë regjim të UNMIK-ut, po e themi të njëjtën, por, pak ma ndryshe: “le të bëhet çka do që të bëhet, dhe le të vije çfarëdo qoftë pavarësie, vetëm të dalim një herë nga kjo krizë që po na e zen frymën”.  Dhe, së fundi, t’i kthehemi fillimit tonë dhe profecisë së Bacit Adem!Edhe nëse do të ariet çfarëdo pavarësie sipas Pakos së Ahtisarit, duhet ta kemi të qartë se, më pas, ne nuk do të jemi shtetas shqiptar por shtetas kosovar; do ta kemi flamurin tonë dhe himnin e dizajnuar nga miqtë tanë, kurse ai i vërteti i Skënderbeut, fillimisht do të jetë si paralelizëm i së parës, e më vonë do të filloj gradualisht t‘na shndërrohet në nostalgji.Ne kosovarët, ndoshta  këtë vit,do ta kemi njëfarë shteti dhe ndonjë datë të shtetësisë, andaj, nuk është edhe për çudi pse ma nuk do të na nevojitet kremtimi i 28 Nëntorit, festë kjo, që ka të bëj me një shtet tjetër fqinje për ne. Fundja, nëse që nga viti 1999, e deri më sot, e analizojmë mënyrën e kremtimit zyrtar të kësaj feste të madhe kombëtare nëpër shumë komuna dhe në nivelin qendror, pompoziteti institucional i shënimit të saj ka treguar rënie rapide.“Katundi që shihet kallauz nuk do” -  thotë populli. Edhe pse gjitha parakushtet flasin “pro”, parën herë i lutem Zotit që kjo profeci e Bacit Adem t’mos realizohet fare, dhe, ai, së paku këtë herë, të dështoj me këtë vlerësim?U bëftë ashtu si e ka shkruar Zoti…  

Adnan Abrashi- NANDA

1 Koment

  1. Kadri Osmani-Mani më 30 Mars 2008

    Kush nuk mëton ta flasë të vërtetën, iu thaftë dega e plepit dhe foshnja e djepit!
    Kadri Mani

Shkruaj një koment