PRIZRENI DHE ALBINI NË BURG?!
Fati deshi që Prizreni, i cili konsiderohet edhe si kryeqyteti
shpirtëror i shqiptarëve, si duket, edhe një here do të shënohet në historinë e lavdisë kombëtare. Kësaj radhe, fatkeqësisht, duke i ofruar strehim burgu, të persekutuarit më të madh politik të “Evropës demokratike” Albin Kurti.
Me të kuptuar edhe zyrtarisht, se Albini, me masa të papara të sigurisë, transferohet nga spitali i burgut të Dubravës, në burgun e Prizrenit, në kontaktet dhe bisedat e zakonshme që i kisha këto ditë me prizrenasit e mi, në disponimin dhe qëndrimet e tyre, vëreja njëfarë krenarie të heshtur.
Duke menduar për këtë dukuri, i shëtita mëndët nga e kaluara. Më kujtohet mirë, ishte koha para demonstratave të 10 Shkurtit. U tubuam në një restauruat të mbushur përplot me bashkëqytetarë të mi, të cilët, me vëmendje dëgjonin prezantimin e tij karizmatik për dëmet e mëdha politike që do t’i kemi ne si popull nga decentralizimi, nga zonat e mbrojtura për kultet ortodokse serbe në Kosovë…etj. Pas prezantimit të suksesshëm të temës nga Albini, pasoi diskutimi entuziast i të gjithë të pranishmëve në këtë tubim. Desha ta marr fjalën edhe unë, por ngurova, sepse isha i mahnitur me qëndrimet tejet konstruktive të tyre. Krejt në fund, nuk u përmbajta dhe fola, por jo në lidhje me temën. Pasi të gjithë të pranishmit i njihja mirë, vendosa të bëjë një mahi në llogari të tyre. Ju drejtova Albinit me buzëqeshje, si shenjë që ta kuptoj se e kam për shaka:
- “Derisa po e vërej Albin, se sot, me plotë entuziazëm, të përkrahin këta prizrenasit e mi, tek tani jam i bindur se ideali i Vetëvendosjes patjetër do të fitoj”
Pasuan qeshjet, por, nga të pranishmit, pat edhe nga ata që ishin të ngacmuar me këtë ironi time. Si me padurim, njeri prej tyre, mu drejtua në dalje:
- “Prizreni dhe prizrenasit gjithnjë gjatë historisë e kanë parandjerë ofrimin e momenteve të rrezikut kombëtar, dhe gjithnjë kanë reaguar në harmoni me këtë ndjenë të tyre. Mbaje në mend edhe ti, tani e ardhmja e Kosovës është vërtetë në rrezik, dhe ne, si prizrenas, po e ndjejmë këtë…po e shoh se ky djalë është tepër i guximshëm, por, të them të drejtën, më dhimbset, sepse shpejt do të jetë në burg”
Si u pa në vonë, ishte ky një parashikim i qëlluar. Profecia e bashkëqytetarit tim u realizua. Pas demonstratave të përgjakshme të 10 Shkurtit, Albini burgoset. Por, “sillu e pështillu”, ironia deshi që ai si i burgosur, pas një kohe, të jetë i strehuar mu në qytetin e këtij “profeti” enigmatik
Pasi e njihja mirë këtë njeri, vendosa që menjëherë të nisem dhe ta takoj. U drejtova kah dyqanin e tij zejtar. Kur më pa se i ofrohesha, filloj të buzëqeshi. Ende as pa u përshëndetur si duhet, në atë moment, nën sigurimin e fortë dhe sirenat e automjeteve të policisë, kaluan pranë nesh disa “xhipa’ të politikanëve të lartë kosovar, që atë ditë e kishin vizituar Prizrenin.
Ai vetëm luhati me kokë në shenjë pakënaqësie dhe mu përgjigj:
- “Shiko jaran! Edhe pse është në burg, ne tani duhet të jemi krenar që e kemi Albinin sërish në Prizren. Shpejtë do të jetë e kundërta, këta që kaluan me “XHIPA”, përsëri do të përcillen me polici, por, herën tjetër, marshuta e tyre do të jetë në drejtim të asaj ndërtese ku është sot Albini. E Albinin…shpejt do ta kemi këtu pranë nesh. Aty ku e ka vendin. Me popullin e vetë qe e do dhe e ka dashur përherë”
Pse mos t’i besomë profecisë së këtij profeti të pashpallur popullor, kur ai, edhe herën e parë ia kishte qëlluar?!
Posa u ndava nga ky mikë i imi, aty për aty, dhe nga brendinë e qenies sime, ndjeva një nevojë të flaktë. Një dëshirë të pa përshkruar që në at moment ta kem Albinin pranë dhe t’i them: Albin, edhe pse në burg, Prizreni krenohen që të ka në strehim.
Por…jam thellësisht i bindur se ai e di mirë këtë!
Adnan Abrashi