NE GAZETARËT KOSOVAR

gazetar.jpgLe t’më falin me këtë rast kolegët e mi të nderuar, e veçanërisht ata që për gazetarinë e lirë dhe të pavarur mendojnë ndryshe, sepse, unë në këtë shkrim, do të udhëhiqem nga ajo thënia e famshme e Aristotelit: “E dua mësuesin tim, por më tepër e çmoj të vërtetën!”

Shkaku që më shtyri të merrem me këtë temë shumë të ndjeshme të një segmenti profesional të përditshmërisë tonë e quajtur gazetari, ishte një emision i transmetuar këto ditë, nga një stacion televiziv. Në të, si pjesëmarrës, qenë të ftuar disa gazetar, korrespondent të gazetave tona ditore. Tema :“Gazetaria e lirë në Kosovë.I shikoja dhe i dëgjoja me vëmendje këta diskutues të zjarrtë dhe nuk di as vetë se si pata durim plotë 90 minuta, të jem para ekranit. Të gjithë pjesëmarrësit në debat, i njihja personalisht dhe assesi nuk mundesha ta merrja me mend atë nivel të hipokrizisë së tyre, me të cilin paraqiteshin ata “gazetarë” para opinionit të gjerë publik.Edhe pse qëndroja vetëm, para ekranit televiziv, aq seriozisht isha ngacmuar, saqë, në këto deklarata fillova të reagoja zëshëm dhe me emocione.- “Haj medet haj! Kush po na flet për gazetarinë e lirë”?! Pa dashur që t’i nënvlerësoj si personalitet, gjëja e parë që më trazoi qe, jo kompetenca dhe jo eksperienca e duhur e asnjërit prej tyre, që në mënyrë meritore të flasin për një temë aq të ndjeshme sikurse është “gazetaria e lirë”. Dhe, e dy, ishte niveli i hipokrizisë që ata shprehnin, përplot gënjeshtra dhe shabllone tanimë të njohura, për kinse pavarësinë dhe lirinë e plotë që kanë si gazetar.I zhytur tërësisht në atë kotësi, fillova veten ta përjetoja sikur edhe unë të isha pjesëmarrës në at emision, e jo vetëm një shikues, i cili, në kërkim e sipër, rastësisht e kishte shtypur butonin e teledirigjuesit në at stacion televiziv.“Avash, avash, o miq! – sërish u shpreha me zë. Frenoni nga pak, thotë populli. Ju, me këto dokrra, jo vetëm se tentoni t’na gënjeni neve, si opinion , por, në radhë të parë, po e gënjeni veten! O Zotëri të nderuar, e dini ju mirë se sa gazeta ditore botohen sot në Kosovë, a po jo? A nuk mbështeten të gjitha ato në sloganin e njohur “Ne jemi gazetë e pavarur”?!.Zotri Z…, edhe gazeta ku ju shkruani e ka këtë slogan, por, botërisht, dihet se cilës parti i takon ajo. E kamë të qartë se nuk e keni bërë ndonjëherë, por tentoni ta bëni këtë provë tani: shkruajeni një shkrim kritikë ndaj asaj partie ose ndaj ndonjë personaliteti të lartë të saj që ajo e përfaqëson, dhe do ta shihni se sa është e pacenueshme liria e juaj si gazetar!? Do ta vëreni pavarësinë e vërtetë të sloganit të gazetës suaj?! Kuptohet, ndaj pasojave eventuale që mund të keni me këtë veprim, unë nuk marr asnjë përgjegjësi!?Duke e lodhur kokën kot me këto gjëra, ndoshta të panevojshme, seç mu kujtua për momentin një shkrim. Një fjalim tejet provokues, por i sinqertë, i një gazetari të mirënjohur amerikan, J. SWINTON, i cili, me rastin e ceremonialit të shënimit të daljes së tij në pension, qysh para 100 vjetësh, në praninë e kolegëve të vetë të shumtë, e që, kishin ardhur në koktej, e kishte mbajtur këtë fjalim:“ Në këtë fazë të historisë botërore, në Amerikë sot nuk ekziston një gjë e ashtuquajtur si “gazetari e lirë dhe e pavarur”. Edhe unë, por edhe ju, e dini mirë këtë. Në mesin e juaj nuk ka asnjë të tillë që do të guxonte të shkruante mendimin e vetë të sinqertë. Dhe, edhe nëse do ta merrte atë guxim, që në fillim do të dihej se ai artikull kurrë nuk do të botohet në shtyp. Unë marr rregullisht pagën time, me të vetmin qëllim që ta mbaj për vete dhe jashtë gazetës që e përfaqësoj zyrtarisht. Jam më se i bindur që shumice prej nesh, këtu, me qëllime dhe mënyra të njëjta paguhemi, dhe, cilido prej jush, që do të bëhet i çmendur dhe të tentoj ta shkruaj për diçka çfarë ai sinqerisht mendon, menjëherë do të gjendej jashtë, në rrugë, në kërkim të ndonjë pune tjetër. Sikur unë, deri më tash, të kisha lejuar vetes që të botoj ndonjë shkrim me përmbajtje ashtu siç e kam menduar sinqerisht, kaherë, do të isha përjashtuar nga puna.Puna e gazetarit është që ta shkatërroj të vërtetën, të gënjej, të shtrembëroj, të shpifi, t’i përulet gjithnjë “monstrumit” nën këmbët e të cilit qëndron, duke e shitur kështu edhe shtetin dhe popullin, vetëm e vetëm për një porcion ditor të kafshatës së bukës. Ju, sikurse edhe unë, këtë gjë shumë mirë e dini, prandaj ngritja e dollisë në emër të një “gazetarie të pavarur” sot, s’është gjë tjetër, veçse një çmenduri. Ne jemi vetëm kukulla skenike. Në “zanatin” tonë, të tjerët gjithnjë i tërheqin litarët, e ne vetëm lozim. Talenti ynë, potenciali dhe jeta jonë, janë përherë pronësi e të tjerëve.Ne jemi prostitute intelektuale dhe asgjë tjetër” (John Swinton, New York 1890)Si duket, nga ky fjalim, edhe pas 100 vjetësh, asgjë nuk është ndryshuar. Merrni me mend, kur kështu flasin për “gazetarin e pavarur” gazetarët e një shteti me një traditë më të madhe demokratike të fjalës së shkruar, e çfarë duhet të themi ne gazetarët kosovar?!.

Adnan Abrashi-NANDA

0 Komente

Shkruaj një koment